"Fan S. Noli" University, Korçë
Fillimet e arsimit të lartë në Korçë datojnë më 15 tetor 1968, kur pranë shkollës së mesme të mbrëmjes u hap Filiali i Mbrëmjes i Institutit Pedagogjik 2-vjeçar.
Më 15 qershor 1971, me vendim të Këshillit të Ministrave, u hap Instituti i Lartë Bujqësor i Korçës.
Universiteti i Korçës u krijua në dt. 7 janar 1992, mbi bazën e Institutit të Lartë Bujqësor të Korçës (1971-1992), me tre fakultete: i Bujqësisë, i Mësuesisë dhe i Ekonomikut. Në vitin 1994 iu dha emri “Fan S. Noli” dhe po këtë vit pranë tij u çel edhe Shkolla e Lartë e Infermierisë. Në vitin akademik 2009 – 2010 u hap në qytetin e Pogradecit Filiali i Universitetit të Korçës në programin e studimit Turizëm. Por në kuadër të riorganizimit të Universitetit ky filial u mbyll në vitin 2014.
Universiteti “Fan S. Noli” përbëhet nga 4 fakultete:
Fakulteti i Bujqësisë
Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë
Fakulteti i Ekonomisë
Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane
Fakultetet janë të organizuar në 14 departamente dhe 2 grupe mësimore-kërkimore.
Studimet në këtë universitet organizohen në tre cikle: cikli i parë “Bachelor” cikli i dytë: “Master Shkencor” dhe “Master Profesional”, dhe cikli i trete: “Doktorature”.
Në universitet funksionon Qendra për Formimin e Vazhduar, si njësi bazë kërkimore dhe trajnuese, që ka për mision trajnim e mësuesve të sistemit parauniversitar si dhe formimin cilësor të specialistëve në fushën e edukimit.
Pjesë e Fakultetit të Bujqësisë është EDE-ja (Ekonomia Didaktike Eksperimentale), me një sipërfaqe prej rreth 35 ha, ku zhvillohen eksperimentet shkencore dhe praktikat mësimore.
Sot Universiteti “Fan S. Noli” është qendra më e madhe arsimore, kulturore dhe shkencore në rajonin e Korçës dhe më gjerë, i përfshirë në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë.
Në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës studiojnë afërsisht 7200 studentë. Në të japin mësim 130 pedagogë efektivë (mbi 70 % e të cilëve janë me tituj dhe grada shkencore), 115 pedagogë të jashtëm, si dhe një numër pedagogësh të ftuar, akademikë, profesorë, etj.