Sports University of Tirana
Universiteti i Sporteve të Tiranës është i vetmi institucion i lartë i këtij lloji ne Republikën e Shqipërisë në funksion të përgatitjes të mësuesve të edukimit fizik dhe specialistëve të sportit. Universiteti realizon kualifikimin e plotë shkencor të specialistëve të edukimit fizik dhe të sporteve, deri në nivelin “Master” e “Doktor i Shkencave”.
Gjeneza e Universitetit të Sporteve të Tiranës nisi me ngritjen e Teknikumit te Fiskulturës në vitin 1948, si e para shkollë e mesme qe përgatiste mësuesit e ardhshëm të edukimit fizik. Pas 10 vjetësh, në vitin 1958, pas krijimit të Universitetit të Tiranës, krijohet dega e fiskulturës pranë Fakultetit 2 vjeçar Histori – Filologji. Më vonë kjo degë u kthye në fakultet me destinacionin “Mësues i Edukimit Fizik” për shkollat e ulëta dhe të mesme.
Në vitin 1960 krijohet Instituti i Fiskulturës i cili emërtohet “Vojo Kushi” me një afat studimesh 3 vjeçar, ekuivalent me sistemin universitar të shkollave të larta. Në vitin 1971 emërtesa ndryshon në Instituti i Lartë i Kulturës Fizike “Vojo Kushi”.Në vitin 1993 afati i studimeve në këtë institucion bëhet 4 vjeçar.
Në datë 25.05.2000 ky institucion emërtohet Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”. Ndërsa në datë 17.02.2010, ky institucion emërtohet Universiteti i Sporteve të Tiranës (UST).
Nga viti 1958 e deri më sot,Universiteti i Sporteve të Tiranës (ish ILKF e më vonë AEFS ‘Vojo Kushi’ ) si institucion unik në vendin tonë ka diplomuar në mënyrë sistematike Mësues, Trainerë dhe Specialistë të Lartë të Fushës së Edukimit Fizik dhe Sportit.
Në vitin 1962 prane ILKF ‘Vojo Kushi”, ngrihet qendra shkencore që më vonë u kthye në sektor shkencor. Ky sektor për kohën dhe në të ardhmen do të ndihmonte në evidentimin e përpunimin e mendimit bashkëkohor shkencor në fushën e edukimit fizik e sporteve der kur shkëputet si një më vete nga ILKF në vitin 1992.
Duke filluar nga viti 1966 struktura e ILKF ka funksionuar mbi bazën e katedrave si njësia bazë mësimore e kërkimore shkencore. Nga viti 1994 struktura 4 vjeçare e institucionit mbeshtetet mbi bazën e departamenteve.
Universiteti i Sporteve të Tiranës përbëhet nga 4 fakultete:
Fakulteti i Shkencave të lëvizjes,
Fakulteti i Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit,
Fakulteti i Shkencave të Rehabilitimit,
Institutit i Kërkimit Shkencor të Sportit.