University of Medicine, Tiranë
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë (UMT) është qendra më e madhe mësimdhënëse publike dhe e formimit universitar e pasuniversitar në shkencat mjekësore në Republikën e Shqipërisë, që ofron ekspertizën më të denjë profesionale në didaktikë, kërkim shkencor dhe në përgatitjen e specialistëve të të gjitha fushave të mjekësisë.
Ky Institucion i Arsimit të Lartë Publik, mbart traditën e vyer rreth 64 vjeçare që ka zanafillën e tij në krijimin e Arsimit të Lartë në vendin tonë me themelimin e Institutit të Lartë të Mjekësisë në vitin 1952, i cili në vitin 1957 formoi Fakultetin e Mjekësisë. Vetë Universiteti i Mjekësisë, Tiranë u themelua më datë 23.01.2013.
Tradita mësimdhënëse dhe përvoja profesionale e profesorëve të nderuar janë shembulli më i mirë që Universiteti i Mjekësisë, Tiranë përcjell ndër vite. Dy degëzimet e mendimit të Universitetit tonë, studimet teorike dhe aftësitë praktike klinike dhe para-klinike, janë të ndërlidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe mundësojnë përshtatshmërinë optimale për të ardhmen e studentëve tonë.
Me krijim e Universitetit, në strukturën e tij u bashkuan Fakulteti i Mjekësisë dhe ish-Fakulteti i Infermierisë, të cilët u shkëputën nga struktura shumëvjeçare e Universitetit të Tiranës dhe u bënë pjesë përbërëse e pesë njësive kryesore të këtij universiteti që u ndanë, përkatësisht, në pesë Fakultete: Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Farmacisë, Fakulteti i Mjekësisë Dentare, Fakulteti i Shëndetit Publik dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike.
Në kuadër të riorganizimit të Universitetit, aktualisht, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë përbëhet nga tre Fakultete:
Fakulteti i Mjekësisë,
Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike,
Fakulteti i Mjekësisë Dentare.