Universiteti "Aleksander Xhuvani" Elbasan
Arsimi i lartë në Elbasan është ngritur mbi një traditë të pasur. Pa dyshim kjo traditë ka të bëjë dhe është e lidhur ngushtë me Shkollën Normale, të çelur më 1909, e cila luajti për shumë kohë rolin e një universiteti të vërtetë. Vetë universiteti “Aleksandër Xhuvani” është vazhdim i Institutit të Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani”, themeluar në 1971. Sot, Universiteti i Elbasanit, vazhdon traditën arsimore në fushën e mësuesisë por edhe në fusha të reja e dinamike të dijes e kërkimit shkencor.
Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 44, më 12 nëntor, 1991, Institutit të Lartë Pedagogjik iu dha Statusi i Universitetit. Që nga themelimi i UE-së (1991) e në vijimësi punohet për krijimin e strukturave dhe institucioneve ndihmëse për procesin mësimor dhe veprimtarinë kërkimore-shkencore.
Stafi akademik i Universitetit përbëhet nga 245 pedagogë dhe asistentë pedagogë efektivë. Universiteti ka edhe 44 lektorë të jashtëm.
Kërkimet shkencore në Universitetin e Elbasanit janë në zhvillime në departamente të ndryshme, që përbëjnë njësitë shkencore. Në çdo departament ka dy seksione: një seksion në të cilin pedagogët i kanë shtrirë kërkimet e tyre në procesin e mësimdhënies dhe një seksion tjetër përbëhet nga një grup pedagogësh që janë realisht kërkues shkencorë si p.sh. në shkencat eksperimentale: kimi, biologji, studimet në gjuhën shqipe, gjeografi, histori, etj.
Qendra e Kërkimeve Albanologjike dhe Ballkanike realizon studime në këto fusha.
Sot, Universiteti i Elbasanit në përbërje të tij ka 5 fakultete:
Fakulteti i Shkencave të Natyrës,
Fakulteti i Shkencave Humane,
Fakulteti Ekonomik,
Fakulteti i Shkencave të Edukimit,
Fakulteti i Infermierisë.