Universiteti i Arteve, Tiranë
Universiteti i Arteve është institucion publik i arsimit të lartë me karakter artistik në Shqipëri, që ofron diplomë Universitare në Muzikë, Arte të Bukura, dhe Art Skenik.
I themeluar më 1966, Instituti i Lartë i Arteve bashkoi tre institucione artistike: Konservatorin Shtetëror të Tiranës, Shkollën e Arteve të Bukura, dhe Shkollën e Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu”. Më 1990, me ndryshimet në sistemin arsimor, Instituti i Lartë i Arteve u ngrit në nivel Universiteti dhe u emërua "Akademia e Arteve".
Në datë 23.03.2011, u krijua “Universiteti i Arteve” mbi bazen e “Akademisë së Arteve”, duke ruajtur të pandryshuar strukturën e Fakulteteve.
Universiteti i Arteve ka tre fakultete:
Fakultetin e Muzikës
Fakultetin e Arteve të Bukura
Fakultetin e Artit Skenik
Qëllimi kryesor i tij është të ofrojë arsimim të lartë profesional dhe veprimtari krijuese në fushën e artit dhe të kulturës, të thellojë kualifikimin profesional e shkencor të specialistit të lartë në fushën e artit e të kulturës, si dhe të kontribuojë në rritjen e standarteve të demokracisë e të qytetërimit . E gjithë rruga mbi 50 vjeçare e Universitetit te Arteve ka qënë një rrugë e shtimit sistematik të specialiteteve, si dhe vitet e fundit implementimi i Kartës së Bolonjës.
Pranimet ne Universitetin e Arteve bëhen vetem me anë të konkurimit, kriteret e të cilit kanë specifikën e tyre në lidhje me specialitetin e kerkuar.
Trupa mësimdhënëse dhe bashkëpunëtorët e Fakulteteve janë emra të mirënjohur në fushat ku operojnë – muzikantë, piktorë, skulptorë, regjisorë teatri dhe filmi-televizioni, aktorë, skenografë dhe koreografë - me njohuri të gjera teorike dhe praktike.
Ambientet e Universitetit te Arteve si studiot, atelieret, lektoriumet, Salla e Madhe e Koncerteve, Salla “Çesk Zadeja”, Teatri Eksperimental “Black Box”, Galeria e Fakultetit te Arteve te Bukura dhe Biblioteka, krijojnë një marrëdhënie interaktive, ku studentët kanë mundësinë të studiojnë në një mjedis të specializuar dhe angazhohen në punë krijuese.
Lidhjet me shkolla dhe Akademi të Artit në Evropë e më gjerë, të qënit e anëtaresuar në Organizata Ndërkombëtare të Institucioneve të Artit, pjesëmarrja aktive ne aktivitete e workshop-e ndërkombëtare, kanë kontribuar në futjen dhe përdorimin e metodave të reja të mësimdhënies.