Universiteti "Luig Gurakuqi", Shkodër
Fillimet e arsimit të lartë në Shkodër datojnë më 2 shtator 1957, kur hapet Instituti i Lartë Pedagogjik i Shkodrës (ILP), e para shkollë e lartë në vend pas asaj të Tiranës. Ai ishte dhe vazhdon të jetë një nga institucionet më të rëndësishme të vendit dhe qendra më e madhe mësimore, shkencore dhe kulturore e Veriut të Shqipërisë.
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka kaluar nëpër disa etapa zhvillimi :
Institut i Lartë Pedagogjik me afat studimi 2 – vjeçar (1957 – 1970). Kishte dy degë:
Gjuhë shqipe – Letërsi – Histori dhe Matematikë – Fizikë.
Institut i Lartë Pedagogjik me afat studimi 3 – vjeçar (1970 – 1982). Kishte katër degë:
Gjuhë shqipe – Letërsi, Histori – Gjeografi, Matematikë – Fizikë dhe Biologji – Kimi.
Institut i Lartë Pedagogjik me afat studimi 4 – vjeçar (1982 –1991).
Përveç degëve ekzistuese hapet edhe dega e Ciklit të Ulët (që përgatit mësues për shkollën fillore).
Në 1989 Instituti i Lartë Pedagogjik i Shkodrës (ILP), merr emrin e atdhetarit Luigj Gurakuqi.
Me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 124, datë 28. 05. 1991 Instituti i Lartë Pedagogjik ngrihet në rangun e universitetit dhe quhet Universiteti “Luigj Gurakuqi”.
Që nga viti 2003, Universiteti i Shkodrës është i organizuar në 3 cikle: cikli i parë, i cili përfundon me diplomën “Bachelor”; cikli i dytë, ku studenti në përfundim të tij merr diplomën “Master i Shkencave” ose “Master profesional” dhe cikli i tretë, shkolla doktorale.
Në jetën e tij 55 vjeçare Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka përgatitur 27.715 kuadro, të cilët shërbejnë në fusha të ndryshme të dijes e të shkencës, si dhe në organe qendrore drejtuese, duke dhënë kështu një kontribut të vyer jo vetëm në arsimin tonë kombëtar, por edhe në sektorë e fusha më rëndësi jetike për kombin.
Sot në përbërje të tij janë 6 fakultete:
Fakulteti i Shkencave Shoqërore,
Fakulteti i Shkencave të Natyrës,
Fakulteti i Shkencave të Edukimit,
Fakulteti Ekonomik,
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja,
Fakulteti i Drejtësisë.